
Deputeti i ardhshëm i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i cili do të jetë pjesë e Kuvendit përmes listës së mbyllur të PD-së, deklaroi në emisionin “LOG.” në News24 se përveç manipulimeve të dokumentuara të zgjedhjeve, një tjetër element i skemës së kryeministrit Edi Rama ishte krijimi dhe përdorimi politik i partive të vogla.
Sipas Balliut, pavarësisht se Partia Socialiste mori 40 mijë vota më pak se opozita, arriti të sigurojë 10 mandate më shumë, ndërkohë që rreth 250 mijë vota të dhëna për partitë e vogla prodhuan vetëm 7 mandate, duke dëshmuar, sipas tij, qëllimin e qartë pas këtij fragmentizimi artificial të votës.
“Ne do të mbrojmë çdo votë, kjo është detyra jonë si opozitë. Vjedhja është e dokumentuar me video, foto dhe prova konkrete, por edhe vetë rezultati është dëshmi. Po ju jap një shembull: në Elbasan, një vajzë 29-vjeçare e panjohur është renditur si më e votuara me mbi 18 mijë vota preferenciale. Në Vorë nuk gjeje polici – vetëm grupe që vepronin të papenguar”, u shpreh Balliu.
Ai theksoi se opozita nuk e ka zbuluar për herë të parë këtë manipulim, por tashmë e ka dokumentuar në mënyrë të plotë. Sipas tij, kjo nuk është vetëm një çështje partie, por një problem i thellë i shtetit.
“Nuk është rastësi që menjëherë pas zgjedhjeve lajmi tjetër ishte se Olta Xhaçka dhe bashkëshorti i saj nuk do të hetohen. Në Vorë u hodhën fishekzjarre nga grupet që e dinin rezultatin para kohës”, vijoi Balliu.
Në përmbyllje të deklaratës së tij, ai e cilësoi si të mirëorganizuar skemën që, sipas tij, synoi të çonte në Parlament parti të vogla me ndikim minimal.
“PS u investua qëllimisht te këto parti. Edhe pse morën 250 mijë vota, ato nuk kanë përfaqësim real. Deputetët me nga një mandat nuk kanë asnjë fuqi për të ndikuar, as nuk mund të propozojnë një ligj”, përfundoi Balliu.