
Një nga figurat më të spikatura të Partisë Demokratike dhe një emër me peshë në Qarkun e Korçës, Edmond Spaho, ka shpallur largimin nga politika aktive pas zgjedhjeve të fundit vendore. Në një reagim publik, ai shprehu zhgënjimin e thellë për rezultatin e 11 majit dhe njoftoi se nuk do të jetë më pjesë e jetës parlamentare.
Spaho ishte pjesë e listës së hapur të PD-së në Qarkun Korçë, por nuk arriti të sigurojë mandat deputeti, pasi demokratët fituan vetëm katër mandate, të gjitha nga lista e mbyllur. Në deklaratën e tij, ai vlerësoi mbështetjen e marrë ndër vite nga strukturat lokale të PD-së, veçanërisht nga Bashkia e Maliqit dhe qytetarët e Korçës.
“Jam i shokuar me rezultatin e zgjedhjeve të 11 Majit! Këto zgjedhje ishin të fundit të karrierës sime aktive në Parlament,” shkruan Spaho në një postim në rrjetet sociale. Ai falënderoi familjen për sakrificat e bëra gjatë 35 viteve të karrierës së tij politike dhe kërkoi ndjesë që nuk mundi të bënte më shumë për qytetarët që e kanë besuar në mënyrë të vazhdueshme.
“Pa mbështetjen e demokratëve të Maliqit dhe të gjithë Qarkut të Korçës, nuk do të kisha arritur asgjë. Ju jam thellësisht mirënjohës,” shton ai.
Në fund të deklaratës, Edmond Spaho i uron Partisë Demokratike që të gjejë forcën për të kapërcyer gjendjen e rënduar në të cilën ndodhet dhe të rikthehet si një forcë e vërtetë shprese për qytetarët shqiptarë.