Vendosni fjalën kyçe....

Artan Hajredinaj shkarkohet përfundimisht nga detyra – KPA rrëzon vendimin e KPK


Procesi i vetingut ka larguar një tjetër magjistrat nga sistemi i drejtësisë. Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) shpalli sot, më 14 maj 2025, vendimin për shkarkimin përfundimtar nga detyra të gjyqtarit të Lezhës, Artan Hajredinaj, duke ndryshuar vendimin e mëparshëm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK).

Hajredinaj ishte konfirmuar në detyrë më 19 mars 2024, pasi Komisioni e kishte vlerësuar si bindëse argumentimin dhe provat e tij lidhur me pasurinë dhe dyshimet për fshehje të një apartamenti. Sipas KPK-së, gjyqtari kishte dhënë shpjegime të mjaftueshme për të justifikuar burimet financiare dhe mbulimin e shpenzimeve.

Megjithatë, Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, e ankimoi këtë vendim në korrik të vitit 2024, duke ngritur shqetësime në dy kritere: atë të pasurisë dhe profesionalizmit. Sipas tij, subjekti i rivlerësimit nuk përmbushte standardin e besueshmërisë së nevojshme për të vijuar detyrën.

Ankimi u mbështet edhe nga drejtuesi i SPAK, dhe në përfundim të shqyrtimit, trupa gjykuese e KPA-së vendosi në mënyrë unanime të rrëzojë vendimin e KPK-së dhe të shkarkojë Artan Hajredinajn.

Vendimi i KPA-së:

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz (kryesuese), Mimoza Tasi (relatore), Albana Shtylla, Natasha Mulaj dhe Sokol Çomo (anëtarë), vendosi:

  • Ndryshimin e vendimit nr. 744, datë 19.03.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit;

  • Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Artan Hajredinaj.

Ky vendim është përfundimtar dhe me efekt të menjëhershëm.”

Ky është një tjetër rast që tregon për rolin korrektues të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në procesin e vetingut, në vijim të përpjekjeve për pastrimin e sistemit të drejtësisë nga individë që nuk plotësojnë kriteret kushtetuese dhe ligjore për integritet dhe profesionalizëm.