Vendosni fjalën kyçe....

Vetëplagoset me armë pa leje, arrestohet 37-vjeçari dhe dy të afërm


Një 37-vjeçar në Lushnje, i identifikuar si Arens Monka, dyshohet se është vetëplagosur aksidentalisht me një armë zjarri që e mbante pa leje. Fillimisht ai deklaroi në spital se ishte dëmtuar me një mjet prerës, por hetimet zbuluan se plagosja kishte ndodhur në automjetin e tij me armë zjarri.

Policia arrestoi gjithashtu vëllain e tij, Igli Monka, 33 vjeç, dhe një mik, Florjon Veliu, 40 vjeç, të cilët dyshohet se fshehën automjetin ku ndodhi ngjarja dhe mbështetën deklaratën e rreme të 37-vjeçarit.

Gjatë kontrollit në automjet, policia gjeti dhe sekuestroi dy fishekë dhe një predhë arme zjarri. Arens Monka ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe është nën kujdesin e mjekëve.

Njoftim i Policisë:

“Pas njoftimit të spitalit të Lushnjës, se një shtetas i dëmtuar në këmbë, kishte shkuar për të marrë mjekim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë nisën hetimet dhe si rezultat i tyre, zbardhën rrethanat e rastit. Në përfundim të veprimeve hetimore u vunë në pranga, shtetasi i dëmtuar, A. M., 37 vjeç, si dhe vëllai i tij, shtetasi I. M., 33 vjeç, dhe shoku i tij, shtetasi F. V., 40 vjeç.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 37-vjeçari është vetëplagosur aksidentalisht, në automjet, me një armë zjarri, të cilën e posedonte pa leje. Për të penguar zbulimin e së vërtetës, ky shtetas ka deklaruar në spital, se është dëmtuar aksidentalisht me mjet prerës. Aktualisht, ky shtetas është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

2 shtetasit e tjerë u arrestuan sepse dyshohet se kanë fshehur automjetin ku u vetëplagos shtetasi A. M., si dhe kanë mbështetur deklaratën e rreme të tij. Gjatë kontrollit në automjetin e gjetur nga Policia, u gjetën dhe sekuestruan 2 fishekë dhe 1 predhë armësh zjarri. Në drejtimin e Prokurorisë së Fierit, po punohet për të dokumentuar me prova ligjore, të gjitha rrethanat e këtij rasti.”