
Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Gentian Gjyli, është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK, nën akuzën për shkelje të barazisë në tendera. Pas daljes nga SPAK, Gjyli madje edhe ka shtyrë kameramanin që e filmonte.
Hetimet kanë përfshirë gjithashtu edhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar në këtë shkelje të rregullave ligjore të prokurimeve publike.
Gjyli u paraqit sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, prej nga doli me statusin e të pandehurit në një çështje që ngre pikëpyetje mbi transparencën dhe integritetin në ndarjen e fondeve publike për investimet infrastrukturore.
Kreu i ARRSH Gentian Gjyli, pasi ka dal nga SPAK, i nervozuar ka shtyrë telefonin e gazetares që tentoi ta pyes dhe ka thënë se u mor i pandehur.
‘U mora i pandehur’, tha ai.
Ndërkohë, është marrë i pandehur dhe i është komunikuar akuza e re edhe ish- kreut të ARRSH Evis Berberi, i cili ndodhet në burg, ndërsa dosja po hetohet nga prokurori Dritan Prençi.
Kreu i ARRSH Gentian Gjyli, është thirrur edhe më herët në SPAK ku ka dëshmuar mbi procedurat e ndjekura në tenderët e rrugëve, gjatë kohës që ai ishte numri 2 i ARRSH-së dhe drejtor Evis Berberi, në hetim nga SPAK nën masën e sigurisë ‘arrest me burg’.
Gentian Gjyli u emërua drejtor i ARRSH më 28 mars 2024, një javë pas arrestimit nga SPAK të ish-drejtorit Evis Berberi. Evis Berberi, u arrestua me 14 mars 2024 me urdhër të SPAK pasi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
SPAK zbuloi skemën si Berberi gjatë kohës që ka qenë në krye të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, por dhe së fundmi në krye të ARRSH-së kishte dhënë 6 tendera kompanisë së ortakut të tij Valter Begaj dhe më pas fitimet i kalonin kompanisë që ai zotëronte në mënyrë indirekte.