Samsung Electronics ka prezantuar të martën modelin më të hollë deri sot, i kompletuar me veçori të përmirësuara të inteligjencës artificiale, pasi kërkon të kalojë rivalin Apple.
Prezantimi i S25 Edge është krijuar për të kapur kërkesën në rritje, veçanërisht nga konsumatorët e rinj në moshë.
“Reagimet ishin të qarta, përdoruesit donin diçka më të hollë dhe më të lehtë për t’u bartur pa sakrifikuar aftësitë dhe fuqinë e telefonit,” tha Samsung, i cili bëri ndryshime strukturore për të zvogëluar trashësinë e përbërësve të brendshëm, duke përfshirë bordin e qarkut dhe sistemet termike.
Analistët thanë se prezantimi ishte në kohën e duhur për të kaluar Apple, që pritet të prezantojë një iPhone më të hollë në gjysmën e dytë të këtij viti.
“Duke lëshuar produktin disa muaj përpara, Samsung mund të ndikojë tregun ndaj Apple dhe të tërheqë konsumatorët që kërkojnë telefona më të hollë. Duket se është një vendim i llogaritur për të kapur atë segment të kërkesës,” tha Ryu Young-ho, një analist i lartë në NH Investment & Securities.
S25 Edge do dalë në shitje në Korenë e Jugut më 23 maj dhe në Shtetet e Bashkuara më 30 maj, tha Samsung, duke shtuar se do e shpërndajë atë në rreth 30 vende, duke përfshirë Kinën dhe Evropën.
