Vendosni fjalën kyçe....

Celibashi për denoncimin e PD mbi “trenin bullgar”: Nëse kjo ka ndodhur, jemi përpara një vepre penale


Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka reaguar sot lidhur me denoncimin e Partisë Demokratike për dyshime mbi manipulim të votave në KZAZ nr. 40, përmes fenomenit të njohur si “treni bullgar”.

Nga ambientet e Parkut Olimpik të Tiranës, Celibashi konfirmoi se është njohur publikisht me pretendimet e PD-së dhe garantoi se KQZ do të vërë në dispozicion të gjitha materialet e kërkuara, përfshirë pamjet filmike nga qendra e numërimit.

“Nëse kjo ka ndodhur, jemi përpara një vepre penale,” u shpreh ai. “Ky është momenti për të pasur fokusin e duhur dhe për t’i dhënë një përgjigje të merituar kësaj situate, nëse vërtetë ka pasur futje fletësh të votimit nga jashtë dhe shkëmbim të tyre me fletë origjinale.”

PD ka ngritur shqetësimin se janë konstatuar fletë votimi me parregullsi të dukshme, përfshirë ngjyrë boje që nuk përputhet me materialet zyrtare të KQZ-së. Partia ka dorëzuar një kërkesë zyrtare për të marrë pamjet filmike nga qendra ku dyshohet se ka ndodhur manipulimi.

Celibashi theksoi se transparenca është prioritet për KQZ-në dhe se çdo rast i dyshuar do të trajtohet me seriozitet të plotë në bashkëpunim me organet hetimore.