
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka dhënë një mesazh të qartë për kandidatët në listat e hapura, duke theksuar se janë marrë të gjitha masat për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor dhe për të parandaluar çdo tentativë për manipulim apo “trafikim” të votave.
Në një postim në rrjetet sociale, Celibashi u shpreh se KQZ ka vendosur masa organizative, njerëzore dhe teknike për të mbrojtur votën parapëlqyese për kandidatët në listat e hapura të çdo subjekti politik.
“Siguroj të gjithë kandidatët dhe qytetarët se KQZ ka ndërmarrë masa organizative, njerëzore dhe teknike për të mos lejuar trafikimin e votave për kandidatët e listës së hapur të çdo subjekti,” deklaroi Celibashi.
Ai nënvizoi se i gjithë procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave është regjistruar me kamera, dhe KQZ disponon pamjet filmike për çdo hap të tij. Çdo mospërputhje mes këtyre pamjeve dhe procesverbaleve do të konsiderohet shkelje e rëndë e ligjit.
“Nëse në procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave për kandidatët në ‘listën e hapur’ do të konstatohen mospërputhje mes asaj që rezulton në pamjet filmike dhe asaj që përfshihet në procesverbalet e vlerësimit të votave, atëherë numëruesit apo komisionerët përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi penale,” paralajmëroi ai.
Celibashi theksoi se KQZ është e vendosur të mbrojë integritetin e zgjedhjeve dhe të garantojë një proces të drejtë dhe të besueshëm për të gjithë qytetarët dhe kandidatët.