
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Qarkun e Elbasanit, Arbjan Mazniku, deklaroi se fitorja e PS-së në zgjedhjet e 11 majit ishte e thellë dhe e parashikuar.
Sipas tij, PS arriti një rezultat historik në këtë qark duke siguruar 10 mandate, ndërsa Partia Demokratike u rrëzua në vetëm 4. Ai theksoi se kjo rritje erdhi pavarësisht një pjesëmarrjeje më të ulët krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.
“PS u rrit në Qarkun e Elbasanit me 5%, ndërsa PD ra me 12.6%. Ne ruajtëm pothuajse të gjitha votat tona, ndërsa PD humbi një pjesë të madhe të mbështetjes,” tha Mazniku.
Ai foli edhe për sistemin e patronazhimit, duke e përshkruar atë si një mjet të ligjshëm dhe të përdorur gjerësisht në politikën moderne.
“Quhet canvassing në SHBA. Është një mekanizëm për të njohur votuesit dhe për të analizuar perceptimet e tyre. Nuk është një çështje negative, por pjesë e standardeve të punës politike profesionale,” theksoi ai.
Mazniku shtoi se fitorja nuk ishte një rezultat i një taktike të përkohshme, por reflektim i një fryme të qartë që kishte PS-ja, e cila sipas tij, ofroi një vizion të besueshëm për të ardhmen dhe një skuadër të fortë kandidatësh.
“Fakti që për katër mandate rresht PS ruan një nivel të qëndrueshëm përkrahjeje prej 47-49%, dhe këtë herë mbi 50%, tregon besimin e thellë të qytetarëve,” përfundoi Mazniku.