Vendosni fjalën kyçe....

Zannier: Zgjedhjet e 11 majit në kushte të pabarabarta, qeveria shpalli programe dhe fali gjobat një ditë para votimeve


Kreu i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të 11 majit, ambasadori Lamberto Zannier, ka theksuar se procesi elektoral u zhvillua në kushte të pabarabarta mes mazhorancës dhe opozitës.

Sipas Zannier, qeveria shpalli disa programe madhore dhe fali gjobat disa ditë para zgjedhjeve, duke krijuar një avantazh të padrejtë për partinë në pushtet.

Ai theksoi se, megjithëse fushata ishte kryesisht e qetë, pati sulme mes drejtuesve kryesorë të fushatës, sidomos online, që treguan një polarizim të madh dhe mungesë besimi në procesin zgjedhor.

Zannier theksoi gjithashtu se vëzhguesit afatgjatë morën ankesat e vazhdueshme nga qytetarët për presione nga nëpunës të administratës publike dhe përdorimin e burimeve shtetërore, duke përfshirë shpalljen e programeve madhore dhe faljen e gjobave, që i dhanë një avantazh të padrejtë mazhorancës.

 “Fushata përgjithësisht ishte e qetë por pati sulme mes drejtuesve kryesorë të fushatës, sidomos online, ç’ka tregon polarizim tejet të madh dhe mosbesim. Një rol i rëndësishëm i vëzhguesve afatgjatë është edhe ndërveprimi me popullatën lokale. Ne kemi dëgjuar vazhdimisht shqetësime për presione nga nëpunës të administratës publike, përdorim të burimeve shtetërore që u pa edhe nga monitoruesit në shumë raste ku u shpallën programe të mëdha edhe një ditë para zgjedhjeve apo falja e gjobave. Këto praktika i dhanë një avantazh të padrejtë partisë në pushtet duke çuar në kushte të pabarabarta garimi”, tha ai.

Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR do të publikohet pas disa muajsh.