
Një mbështetës i Partisë Demokratike, Luan Tollozhina, ka goditur komisionerin e PS-së, Entin Gega, gjatë procesit të votimit në Qendrën e Votimit nr. 3901 në Pogradec. Sherri, që dyshohet të ketë ndodhur për arsye personale dhe jo për shkak të procesit zgjedhor, ka eskaluar jashtë mureve të qendrës së votimit.
Pas përplasjes, të afërm të Tollozhinës janë drejtuar në banesën e Gega-s, ku kanë goditur bashkëshorten dhe djalin e tij. Djali i 52-vjeçarit, Entin Gega, ka marrë mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa bashkëshortja e tij është duke dhënë kallëzim në komisariat.
Po ashtu, një akuzë tjetër është ngritur ndaj Luan Tollozhinës për dhunë fizike dhe verbale ndaj një gruaje 73-vjeçare, e cila ka denoncuar publikisht se ishte sulmuar nga Tollozhina jashtë një qendre votimi.
Në deklaratën e saj, e moshuara tregon se Tollozhina e ka kapur për gryke dhe e ka ofenduar, duke e quajtur “komuniste dhe rrugaçe”. Ajo ka shprehur shqetësimin për sjelljen e tij, duke theksuar se ky veprim ishte një abuzim tërësor me autoritetin që pretendonte të kishte.
Policia dhe grupi hetimor janë angazhuar për të hetuar të gjitha rrethanat dhe për të siguruar ndëshkimin e autorëve të dhunës gjatë procesit zgjedhor.