
Një incident është shënuar sot në qytetin e Vorës, ku Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, është përfshirë në një debat të ashpër me disa qytetarë, gjatë një denoncimi për parregullsi në procesin zgjedhor.
Noka akuzoi se në një nga qendrat e votimit në këtë zonë, persona të lidhur sipas tij me “bandën e Xhabadëve”, të pajisur me bezha të KQZ-së si vëzhgues, po kontrollonin dhe dirigjonin procesin e votimit.
“E gjithë banda e Xhabadëve është instaluar nëpër shkolla me bezha vëzhguesi, duke kontrolluar procesin,” deklaroi Noka, ndërsa tregonte me dorë disa persona që, sipas tij, po ushtronin ndikim në qendrat e votimit.
Në atë moment, disa qytetarë ndërhynë, duke kundërshtuar deklaratat e tij.
“Jam unë, po shkoj të votoj. Çfarë ke me mua?” iu drejtua një qytetar Nokës, ndërsa një tjetër e akuzoi: “Keni vrarë 26 vetë në Vorë, edhe fëmijë, ndaj nuk ju duan.”
Përplasja verbale u përshkallëzua me tone të larta, ku qytetarët akuzonin Nokën për manipulim dhe përpjekje për presion, ndërsa ai i paralajmëroi të mos qëndronin pranë qendrës së votimit.
Debati zgjati disa minuta dhe u mbyll pa incidente fizike, ndërsa forcat e rendit mbetën në gatishmëri në zonë.