
Kandidatja e Partisë Demokratike, Elda Hoti, ka reaguar pas arrestimit të bashkëshortit të saj, duke akuzuar ministrin Ulsi Manja dhe strukturat e Policisë së Shtetit për përdorimin e forcave të rendit në shërbim të interesave politike.
Në një postim të saj në Facebook, Hoti theksoi se “asnjë polici politike, asnjë strukturë kriminale dhe asnjë zëdhënës i krimit të organizuar nuk do të mund ta ndalë vullnetin e qytetarëve për ndryshim.”
Ajo vazhdoi duke theksuar se ditët e frikësimit, fabrikimeve dhe shtypjes së zërit opozitar po afrojnë fundin, dhe se ministri Manja dhe çdo tjetër që përdor Policinë për mbrojtjen e pushtetit do të mbajnë përgjegjësi për veprime të paligjshme.
“Manovrat janë të dështuara sepse fuqia e popullit nuk ndalet nga asnjë makineri represive,” – shtoi Hoti.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve të mos harrojnë 12 vitet e fundit dhe t’i japin fund shtypjes dhe korrupsionit, duke përmendur figura si Aleksander Dodaj dhe Renuar Kolaj, të cilët i cilësoi si pjesë të “krimit elektoral.”