
Ambasadori Lamberto Zannier, kryesues i misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, ka dhënë një deklaratë për mediat nga një qendër votimi, ku po zhvillohet procesi i votimit në mënyrë elektronike.
Zannier njoftoi se 240 vëzhgues të OSBE janë angazhuar në të gjithë Shqipërinë, ndërsa ka një grup prej 135 vëzhguesish nga shtetet anëtare të OSBE që po monitorojnë procesin.
Ai theksoi se ekipi i vëzhguesve ka mbërritur në Shqipëri që nga fundi i muajit mars dhe ka monitoruar edhe fazën e fushatës zgjedhore. “Dita e zgjedhjeve është dita e dukshme e vëzhgimit, por ne kemi qenë këtu që nga fundi i marsit, duke vëzhguar dhe fushatën zgjedhore,” tha Zannier.
Ambasadori Zannier shtoi se një pjesë e vlerësimit të misionit do të përfshijë edhe procedurat e votimit elektronik. “Një pjesë e vlerësimit tonë do të jenë edhe procedurat e votimit elektronik. Nesër, në orën 15:00, do të mbajmë një konferencë për shtyp, ku do të publikojmë vlerësimet dhe rekomandimet tona për zhvillimin e procesit zgjedhor,” theksoi ai.
Zannier gjithashtu e vlerësoi bashkëpunimin me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke e cilësuar atë si shumë transparent dhe të drejtë deri tani.