Agjencia e brendshme e inteligjencës gjermane ka pezulluar përkohësisht klasifikimin e partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD) si një grup “ekstremist i krahut të djathtë”, në pritje të rezultatit të një apeli ligjor.
Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) pezulloi etiketimin të enjten dhe hoqi një deklaratë për shtyp në lidhje me përcaktimin nga faqja e saj e internetit, shkruan Rt.
Klasifikimi, i cili u njoftua nga BfV javën e kaluar, bazohej në një raport që pretendonte se AfD promovon politika që përjashtojnë individët me prejardhje emigrante, veçanërisht myslimanët, nga pjesëmarrja e plotë shoqërore. BfV pretendoi se partia “shpërfill dinjitetin njerëzor” dhe përdor terma të tillë si “emigrantë me thikë” për t’i atribuar tendencat e dhunshme grupeve etnike jo-evropiane.
Udhëheqja e AfD-së e dënoi vendimin si “një goditje të rëndë për demokracinë gjermane” dhe ngriti një padi në një gjykatë të Këlnit, duke argumentuar se klasifikimi ishte i motivuar politikisht dhe nuk kishte prova të mjaftueshme. Si rezultat, BfV e tërhoqi përkohësisht klasifikimin, por tha se do e mbikëqyrte partinë si një “rast i dyshuar” i një organizate ekstremiste.
Përcaktimi i pezulluar do kishte fuqizuar BfV-në për të kryer mbikëqyrje të gjerë të veprimtarive të AfD-së. Përcaktimi i nivelit më të ulët gjithashtu lejon mbikëqyrjen, por nën mbikëqyrje më të rreptë gjyqësore.
Bashkëdrejtuesit e AfD, Alice Weidel dhe Tino Chrupalla e përshëndetën pezullimin e përkohshëm, duke e quajtur atë “një hap të parë të rëndësishëm” që do ndihmojë “për të luftuar akuzat për ekstremizëm të krahut të djathtë”.
Etiketimi “ekstremist” u prit me skepticizëm nga shumë politikanë gjermanë. Tashmë ish-kancelari gjerman Olaf Scholz dhe ministri i Brendshëm i ardhshëm Alexander Dobrindt paralajmëruan kundër ndalimit të AfD-së. Dobrindt ka argumentuar se partia duhet të humbë rëndësinë mes votuesve nëpërmjet qeverisjes së mirë dhe jo masave drastike.
