Vendosni fjalën kyçe....

Vihet në pranga një nga dy të kërkuarit e SPAK për korrupsion zgjedhor


Kalosh Peposhi është ndaluar nga Policia pas shpalljes së tij në kërkim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në kuadër të një hetimi për veprimtari kriminale që lidhet me korrupsionin aktiv në zgjedhje. Ai akuzohet se ka qenë i përfshirë në blerjen e votave, në bashkëpunim me persona të tjerë, një vepër që parashikohet nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal.

Më herët gjatë ditës, strukturat e Policisë së Kukësit, në bashkëpunim të ngushtë me SPAK-un, kryen kontrolle në banesat e Kalosh dhe Gazmend Peposhit, dy të dyshuar për këtë vepër penale. Hetimet lidhen me dyshime të forta se të dy këta shtetas kanë ofruar përfitime të paligjshme me qëllim ndikimin e votuesve për të mbështetur një subjekt politik të caktuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Kalosh Peposhi u kap pas intensifikimit të kërkimeve, ndërkohë që Gazmend Peposhi vijon të jetë në kërkim. Autoritetet kanë shtuar përpjekjet për kapjen e tij dhe për zbardhjen e plotë të rrjetit të përfshirë në këtë skemë korrupsioni elektoral.

SPAK ka paralajmëruar se do të ndjekë me vendosmëri çdo rast që tenton të cënojë integritetin e procesit zgjedhor, ndërsa hetimet për veprimtari të tjera të ngjashme janë ende në vijim.