
Një rritje e madhe e çmimit të ujit është vetëm një nga pasojat e javës së fundit të sulmeve ajrore në qytetin Port Sudan, buzë Detit të Kuq.
Dikur konsideruar si një nga zonat më të sigurta në mes të luftës civile shkatërruese që ka përfshirë Sudanin, Port Sudani po përjeton tani bombardime të vazhdueshme nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), një grup paramilitar i përfshirë në konfliktin që ka zhytur vendin në krizë që prej më shumë se dy vitesh.
Pas gjashtë ditësh sulmesh me dronë, tymi vijon të ngrihet mbi tre depo karburanti të goditura, ndërsa ekipet e shpëtimit përpiqen ende të shuajnë flakët dhe të përballen me pasojat.
Lufta midis forcave të ushtrisë sudaneze dhe udhëheqësve të RSF-së ka shkaktuar një nga katastrofat më të rënda humanitare në botë, duke detyruar mbi 12 milionë njerëz të braktisin shtëpitë e tyre.
Ndër të zhvendosurit në Port Sudan është edhe Mutasimi 26-vjeçar, i cili foli për BBC-në, por kërkoi që mbiemri i tij të mos publikohej për arsye sigurie. Ai rrëfen se kishte pritur me orë të tëra për të blerë ujë, i cili është bërë pothuajse i pamundur për t’u gjetur.
Shkak për këtë mungesë është dëmtimi i depove të karburantit nga bombardimet, çka ka ndërprerë furnizimin me naftë – thelbësore për funksionimin e pompave që nxjerrin ujë nga nëntoka për qytetin.
Mutasimi i tha BBC-së se, ndërsa një javë më parë furnizimi ditor me ujë i kushtonte rreth 2,000 paund sudanezë (afërsisht 3.30 dollarë ose 2.50 paund britanik), tani çmimi është pesëfishuar.
Kjo ka bërë që ai dhe shtatë anëtarët e tjerë të familjes të mbeten me shumë pak ujë për nevojat bazë si gatimi, pastrimi dhe larja.
“Së shpejti nuk do të kemi mundësi ta përballojmë,” tha ai, duke shpjeguar se të ardhurat i siguron nga blerja dhe shitja e produkteve bazë në treg.
Uji, megjithatë, nuk është sfida e vetme në Port Sudan.
Edhe pse jeta e përditshme duket se po përpiqet të rikthehet në normalitet – tregjet dhe dyqanet janë të hapura – qyteti po përballet me mungesë serioze të karburantit. Radhë të gjata makinash shihen pranë stacioneve të benzinës, ku qytetarët presin me orë të tëra.
“Mund të më duhen deri në pesë orë për të marrë benzinë,” rrëfen Mutasimi.
Një situatë e tillë nuk është e re për shumë sudanezë por për banorët e Port Sudanit, kjo është një përvojë e re dhe alarmante.