Vendosni fjalën kyçe....

Përplasje në Dibër, dyshime për tentativa për blerje votash – ndërhyn Prokuroria dhe Policia


Në fshatin Tomin të Dibrës, vetëm pak orë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, është regjistruar një incident mes grupe simpatizantësh të Partisë Demokratike dhe persona të dyshuar si mbështetës të Partisë Socialiste. Sipas informacioneve paraprake, një makinë që po lëvizte drejt zonave të thella u ndalua nga simpatizantë të PD-së, të cilët dyshuan se po shpërndaheshin para dhe tollona nafte për të ndikuar votuesit.

Situata ka degjeneruar në përplasje fizike mes grupeve, ndërsa ngjarja ka sjellë edhe bllokimin e përkohshëm të aksit rrugor Peshkopi-Kukës, me qindra automjete të mbetura në trafik.

Prokuroria dhe forcat e policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, duke ushtruar kontroll mbi automjetin e ndaluar dhe duke nisur verifikimet mbi dyshimet për shkelje të ligjit zgjedhor.

Sipas policisë, denoncimi është bërë nga kandidati i PD-së në këtë qark, Xhemal Gjunkshi, i cili gjithashtu pretendon se një person ka qëlluar më armë zjarri teksa është larguar.

Burime bënë me dije se një grup simpatizantë të PD kishin ndaluar një makinë që mendohej se po shkonte drejt zonave të thella dhe sipas tyre, po shpërndanin para dhe tollona nafte.

Mësohet se nën drejtimin e Spak dhe të Prokurorisë Dibër, policia ka nisur hetimet për rastin.

Dibër/Informacion paraprak

Rreth orës 20.25 shtetasi Xh.Gj., (kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), ka telefonuar në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, i cili pretendonte se në fshatin Pilafe, njësia Administrative Tomin, kanë ndaluar një shtetas që dyshohej se shpërndante para në këmbim të votave.

Gjithashtu shtetasi Xh.Gj., paraprakisht ka pretenduar se një person teksa është larguar ka qëlluar njëherë me armë zjarri në ajër.

Menjëherë është ngritur grupi hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe nën drejtimin e Spak dhe të Prokurorisë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër po kryejnë hetimet për zbardhjen e rastit.