Vendosni fjalën kyçe....

Liderët evropianë lëshojnë një ultimatum për armëpushim ndaj Putinit


Liderët evropianë, gjatë një vizite të përbashkët në Kiev, i kanë lëshuar një ultimatum Vladimir Putinit: të nënshkruajë një armëpushim të pa kushte deri të hënën, ose të përballet me sanksione të rritura dhe dërgesa armësh për Ukrainën.

Liderët e Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Polonisë, së bashku me Volodymyr Zelenskyy, bënë një telefonatë të përbashkët me Donald Trump para shpalljes së këtij ultimatumi.

“Ne të gjithë këtu, së bashku me SHBA-në, po i drejtohemi Putin-it. Nëse ai është serioz për paqen, tani ka mundësinë ta tregojë,” tha Kryeministri Keir Starmer gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp të pesë liderëve në Kiev, përcjell The Guardian.

Starmer tha se liderët po kërkojnë “një armëpushim të pa kushte, duke refuzuar kushtet e Putin-it, dhe duke qenë të qartë se nëse ai i kthen shpinën paqes, ne do të reagojmë, duke punuar me presidentin Trump, me të gjithë partnerët tanë, do të intensifikojmë sanksionet dhe do të rrisim ndihmën ushtarake për mbrojtjen e Ukrainës për ta shtyrë Rusinë që të kthehet në tryezën e negociatave”.

Kjo vizitë është e para e Macron në Kiev që nga vera e vitit 2022, dhe e para për Merz si kancelar i Gjermanisë, pasi ai ka marrë postin vetëm këtë javë.

Të pesë liderët zhvilluan një telefonatë të frytshme me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, duke u fokusuar në përpjekjet për paqe, ka shkruar ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, në rrjetin social X, duke shtuar një foto të pesë burrave të mbledhur rreth një telefoni celular.

Sybiha gjithashtu shtoi: “Ukraina dhe të gjithë aleatët janë të gatshëm për një armëpushim të plotë dhe të pa kushte në tokë, ajër dhe det për të paktën 30 ditë, duke filluar që tani të hënën. Nëse Rusia pranon dhe monitorimi i efektshëm sigurohet, një armëpushim i qëndrueshëm dhe masa për ndërtimin e besimit mund të hapin rrugën për negociata paqeje.”

Trump dhe administrata e SHBA-ve kanë thënë se një armëpushim 30-ditor mund të jetë hapi i parë drejt një marrëveshje të qëndrueshme paqeje.

Ukraina ka thënë se është e gatshme ta zbatojë një armëpushim të tillë, por Rusia deri tani ka refuzuar, duke thënë se do të vepronte vetëm nëse dërgesat e armëve perëndimore për Ukrainën do të pezulloheshin.

Një shenjë e hershme se Rusia mund të mos e pranojë ultimatum-in e fundit, ka ardhur nga ish-presidenti Dmitry Medvedev, i njohur për qëndrimet e tij të ashpra, i cili shkroi në X: “Macron, Merz, Starmer dhe Tusk ishin të thirrur për të diskutuar paqen në Kiev (sic). Në vend të kësaj, ata po hedhin kërcënime kundër Rusisë… Mendoni se kjo është e mençur, a? Shpërndajeni këtë plan paqeje nëpër prapanicën tuaj pangjinore.”