Drejtuesja politike në PD për Diasporën Jozefina Topalli ka kërkuar ndarjen e kutive që kanë votat që kanë ardhur nga Italia me ato që kanë ardhur nga Greqia.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Topalli tha se kutitë e ardhura duhet të auditohen ndërsa shtoi se nëse zarfet dorëzohen me dorë, atëherë bëhet fjalë për një krim zgjedhor.
Zyrtarja e lartë demokrate tha gjithashtu se dorëzimi i votave jo siç e përfshin kontrata po përmes strukturave të PS-së nxjerr loje gjithë procesin.
“Në Greqi, shtohen akoma shqetësimet. Sot janë dorëzuar zarfet me dorë në KQZ. Vetëm në tre ditët e fundit janë dorëzuar 22 mijë vota, dhe kjo rrit shqetësimet për mundësinë e manipulimit. Nëse zarfet dorëzohen me dorë, kjo është një formë krimi zgjedhor. Të ndahen kutitë që vijnë nga Greqia me kutitë që vijnë nga Italia. Të bëhet auditimi, sesi erdhi kutia dhe një analizë të kutive të votimit, që kanë sjellë anomali për mënyrën sesi kanë ardhur votat. Vetëm në tre ditët e fundit kanë ardhur 22 mijë vota. Nëse zarfet dorëzohen me dorë, ky është krim zgjedhor. Të ndalet dorëzimi i zarfeve dorazi. Kemi dorëzuar kërkesën për këto krime elektorale. Kthimi i shërbimit sipas kontratës të DHL-së në shërbim të ofruar të strukturave të PS-së, nxjerr loje gjithë procesin që ka ndodhur në shtetin fqinj.” – tha ajo.
