Drejtoritë Rajonale Tatimore kanë nisur shpërndarjen e Certifikatës 7A për përfituesit e projekteve të financuara nga Bashkimi Europian, në kuadër të përjashtimit nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
Përmes këtij procesi, Administrata Tatimore synon të lehtësojë realizimin e projekteve me financim europian, duke shmangur nevojën për rimbursimin e TVSH-së dhe duke ulur barrën administrative për bizneset dhe organizatat përfituese.
Sipas njoftimit të administratës tatimore, të gjithë përfituesit duhet të paraqesin pranë furnitorëve Certifikatën 7A të lëshuar nga Agjencia dhe Drejtoria Rajonale Tatimore, për të përfituar nga përjashtimi prej TVSH-së në blerjet që lidhen me këto projekte.
Furnitorët, në anën tjetër, kanë detyrimin që në faturat e lëshuara për këto projekte të përfshijnë:
Kodin Unik të Identifikimit të Projektit;
Numrin e Certifikatës 7A të regjistruar në DRT.
Shembull fature:
Te fusha “Të dhëna për projektin” duhet të shënohen: SASPAC-Kodi Unik i Identifikimit të Projektit-Kodi i DRT-Numri i certifikatës 7A (p.sh., SASPAC-2025-04-0014-DRT-TR-2025-0001).
Përfitimet e kalimit nga skema e rimbursimit të TVSH-së, në skemë me trajtimin e shitjeve të ngjashme me eksportet janë:
Eleminohet nevoja për kërkesë rimbursimi të TVSH-së dhe rrjedhimisht ulet nevoja për kontroll të brendshëm;
Ulet ngarkesa në kapitalin qarkullues, sidomos nëse furnitorët kërkojnë pagesën me TVSH;
Shmangen verifikimet e Administratës Tatimore për vlefshmërinë e TVSH-së për rimbursim.
Administrata Tatimore fton të gjithë subjektet përfituese të ndjekin procedurat për përfitimin e certifikatës dhe të sigurojnë që furnitorët të respektojnë detyrimet ligjore gjatë faturimit./Monitor