Vendosni fjalën kyçe....

Rama në ditën e fundit të fushatës: Më 19:30 për Tiranën dhe Shqipërinë 2030 në BE


Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një mesazh përmbyllës në rrjetet sociale në orët e fundit të fushatës elektorale, pak para mitingut final të Partisë Socialiste në Tiranë përpara zgjedhjeve të 11 majit.

Nëpërmjet një videomesazhi në Facebook, kreu i qeverisë njoftoi se tubimi përfundimtar do të mbahet në orën 19:30 dhe do të fokusohet vetëm te mbështetësit nga qarku i Tiranës, ndërsa në qarqet e tjera strukturat janë angazhuar me përgatitjet për ditën e votimit.

Rama e quajti simbolik këtë mbledhje si një moment kur Tirana i jep mesazhin përfundimtar të gjithë Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që ndodhen, duke e lidhur fushatën me vizionin për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

Kryeministri nënvizoi gjithashtu se është “jashtëzakonisht i lumtur” për pjesëmarrjen e lartë të shqiptarëve të diasporës në votimin e parë në historinë e tyre, pas thirrjeve të përsëritura që u janë bërë gjatë ditëve të fundit.

 Sipas tij, numrat e votave nga jashtë janë në rritje dhe mjaft inkurajues.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që ne i dhamë mundësinë të votojnë dhe jashtëzakonisht i lumtur që po e shfrytëzojnë këtë mundësi për votën e parë në histori të shqiptarëve jashtë,” deklaroi Rama, duke shtuar se është kurioz të shohë “gjykimin dhe vendimin e diasporës”, të cilin do ta respektojë me “respektin më të madh”.

Në mbyllje të mesazhit të tij, Rama ftoi qytetarët të bashkohen në mitingun përmbyllës në Tiranë, me mesazhin final për “Shqipërinë 2030 në BE”.

 

Video-Mesazhi i plotë i Edi Ramës në Facebook:

“Orët e fundit të këtij rrugëtimi erdhën pas pak, 19:30 kemi Tiranën, edhe vetëm Tiranën, se gjithë të tjerët kanë qendruar nëpër qarqet e tyre, për përgatitjet e fazës tjetër të procesit, organizimi, trupat e komisionerëve etj., etj., ndërkohë që në 19:30 Tirana do i japë mesazhin e fundit të gjithë Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve kudo që ata ndodhen dhe më vjen shumë mirë që ka pasur një lëvizje domethënëse në ditët e fundit nga ana e atyre që kishin mbetur ende pa i dërguar zarfat, numrat janë shumë inkurajues, të shohim si do mbyllet pjesëmarrja, por pa diskutim trendi qysh në krye të herës na tregoi se do kishte një pjesëmarrje shumë të lartë nga jashtë kufijve. Jam jashtëzakonisht i lumtur që ne i dhamë mundësinë të votojnë dhe jashtëzakonisht i lumtur që po e shfrytëzojnë këtë mundësi për votën e parë në histori të shqiptarëve jashtë, por edhe këtë sfidë të Shqipërisë në historinë e 11 majit. Dhe patjetër jam kurioz që ta shoh vendimin e diasporës, gjykimin e diasporës dhe patjetër me respektin më të madh. Në 19:30, edhe pak, do jemi së bashku me Tiranën dhe për Tiranën dhe për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”.