
Chris LaCivita, drejtuesi i fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit, ka reaguar ndaj sulmeve që kryeministri Edi Rama ka bërë gjatë fushatës në drejtim të tij. Në një intervistë për mediat, LaCivita i ka cilësuar këto sulme si një surprizë, duke theksuar se ai nuk është as kandidat dhe as nuk garon për kryeministër.
LaCivita shtoi se ato që Rama ka thënë për të, duke e etiketuar si “latifi amerikan”, janë përpjekje për të tërhequr vëmendjen e publikut nga 12 vitet e dështimit të qeverisjes socialiste.
“Sinqerisht, nuk e kisha menduar se do të sulmohesha nga Edi Rama. Më vjen për të qeshur, sepse unë nuk jam kandidat, nuk jam në listat e deputetëve dhe as nuk po garoj për kryeministër,” – tha LaCivita.
Ai shtoi se Rama është kaq i dëshpëruar për të mbajtur pushtetin saqë është i gatshëm të bëjë gjithçka për të ndryshuar tematikën dhe për të devijuar vëmendjen e publikut nga problemet e vërteta që kanë rëndësi.
“LaCivita u bë një çështje për të shmangur diskutimin për 12 vitet e dështimeve të tij. Ai do që të flasë për gjithçka tjetër, por ne duam të flasim për dështimet e tij,” – theksoi ai.
Pavarësisht këtyre sulmeve, LaCivita shprehu se nuk shqetësohet për këtë dhe e cilësoi veprimin e Ramës si një shenjë të paqëndrueshmërisë.