Vendosni fjalën kyçe....

TVSH “rrënon” buxhetin, të ardhurat në raport me PBB në nivelin më të ulët që nga viti 2003


Vitet e fundit qeveria forcoi masat për të rritur rendimentin e të ardhurave nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, duke ulur pragun e TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë, por rezultatet kanë treguar për të kundërtën.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave të ardhurat nga TVSH-ja arritën në fund të vitit 2019 në 7.8% të Prodhimit të Brendshëm bruto (PBB), niveli më i ulët që nga viti 2003.

Në vitin 2019 të ardhurat nga TVSH në raport me PBB-në shënuan rënie me 1 pikë përqindje. Kjo ishte tkurrja më e fortë që nga viti 1994.

Organet fiskale të vendit, tatime dhe dogana grumbulluan 18,8 miliardë lekë (150 milionë euro) më pak se plani i vitit 2018 dhe 11 miliardë lekë (96 mld lekë) më pak se, fakti i një viti më parë.

Ministria e Financave me herët i ka lidhur dobësitë në arkëtimin e TVSH-se me përfundimin e punimeve në investimet e mëdha përkatësisht, gazsjellësi TAP dhe HEC-et në lumin Devoll dhe me përjashtimi nga pagesa e TVSH-së të nënkontraktorëve të lidhur më këto investime.

Arsyeja tjetër sipas Ministrisë së Financave lidhet me zgjerimin e bazës mallrave të përjashtuara nga TVSH-ja. Vitin e kaluar paketa fiskale përjashtoi nga TVSh-ja imputet bujqësore.

Përgjatë vitit 2019 Ministria e Financave planifikoi të grumbullonte 152,3 miliardë lekë nga TVSH me një rritje 5.4 për qind nga fakti i vitit 2018, por arkëtimet jo vetëm që nuk shkuan sipas planifikimeve, por shënuan një hendek të thellë në raport edhe me faktin e vitit 2018 me një rënie 7.7 për qind.

Vitet e fundit Ministria e Financave mori dy masa të mëdha për rritjen e arkëtimeve nga TVSH-ja. E para ishte ulja e pragut të përfshirjes në TVSH të bizneseve me xhiro vjetore 2 milionë lekë. Nëpërmjet këtyre masave qeveria synonte që të formalizonte TVSH-ne në të gjithë zinxhirin e qarkullimit të tatimit.

Krahas kësaj mase qeveria ka ushtruar kontrolle të përqendruara antiinformalitet në të gjithë linjat e biznesit sidomos në sektorët e tregtisë dhe shërbimeve që sipas një analize risku të bërë nga tatimet janë sektorët me evazionin më të lartë fiskal.

Qarkullimi i mallrave vitin e kaluar është nxitur edhe nga rritja e konsumit për shkak të një sezonit të mbarë turistik. Sipas të dhënave zyrtare vitin e kaluar vendin tonë e kanë vizituar më shumë se 6.5 milionë turistë, të cilët duke qenë se, kanë konsumuar mallra dhe shërbimeve supozohet të kenë nxitur edhe qarkullimin e TVSH-së.

Ketë vit qeveria synon të përmirësojë rezultatet e arkëtimit të TVSH nëpërmjet projektit të fiskalizimit që pritet të aplikohet në shtator të këtij viti.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *