
Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën, Belind Këlliçi, ka bërë një denoncim të fortë në prag të zgjedhjeve të 11 majit, duke akuzuar qeverinë dhe strukturat e saj se po përgatiten për një operacion të paligjshëm të blerjes së votave.
Në një deklaratë për mediat, Këlliçi tha se ka informacione të sigurta se ambulancat publike do të përdoren si mjet për shpërndarjen e parave për qëllime elektorale. S
ipas tij, ky është një skenar i organizuar në mënyrë sistematike nga qeveria, ku patronazhistët do të lëvizin me automjete të emergjencës për të ndikuar tek votuesit.
“Patronazhistët e Ramës do të lëshohen sot rrugëve duke përdorur ambulancat si bankomate për blerjen e vullnetit të zgjedhësve shqiptarë,” – deklaroi Këlliçi, duke akuzuar mazhorancën për manipulim të procesit.
Ai i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) që të vërë në lëvizje task-forcën e posaçme për zgjedhjet dhe të ndërhyjë menjëherë për të parandaluar atë që ai e cilësoi si “krim elektoral”.
“SPAK të veprojë menjëherë! Toma në Shkodër është nxënës i Ramës në Tiranë,” – u shpreh Këlliçi, duke lënë të kuptohet se po zbatohet një model i centralizuar i manipulimit në disa qytete.
Ai gjithashtu paralajmëroi drejtuesit e ambulancave dhe stafin shëndetësor të mos përfshihen në këtë skemë, sepse sipas tij do të identifikohen dhe do të konsiderohen si “terroristë elektoralë”, duke u përballur më pas me pasoja ligjore individualisht.
Në përfundim të deklaratës së tij, Këlliçi përmendi edhe rezolutën e Partisë Popullore Evropiane (EPP), duke theksuar se ndërhyrja e strukturave shtetërore në procesin zgjedhor do të rrezikojë të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
“Nëse makineria shtetërore ndërhyn në zgjedhje, integrimi evropian i Shqipërisë do të ndalet. Kush i vjedh zgjedhjet, e ka të shkruar fatin në Uashington, Bruksel dhe Berlin,” – përfundoi ai.