
Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, deklaroi në një intervistë për “Koha për t’u zgjuar” në News24 se qytetarët përballen ende me probleme madhore si mungesa e legalizimeve, korrupsioni i lartë dhe varfëria ekstreme. Ajo tha se këto çështje janë në qendër të fushatës së saj.
Ajo shtoi se Partia Demokratike synon rritjen e pensioneve dhe vendosjen e minimumit jetik, duke theksuar se “nuk duhet të ketë asnjë pension nën 200 euro”.
Çupi gjithashtu mbështeti Task-Forcën e SPAK për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe përmendi si zhvillim pozitiv heqjen e non gratës ndaj Sali Berishës.
Në fund, Dhurata Çupi u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në zgjedhje dhe të votojnë për Partinë Demokratike: “Ftoj shqiptarët që të votojnë PD-në për të ndryshuar Shqipërinë.”
“Unë kam eksperienca në zhvillimin e fushatave, kam bërë një fushatë normale. Njoh problematikat e komunitetit dibran, edhe në Dibër, por edhe në Tiranë.
Legalizimet janë një problem. Shumë qytetarë kanë ndërtuar shtëpitë e tyre dhe nuk e kanë të sigurt pronën. Legalizimet nuk kanë përfunduar. Ne kemi në program legalizimin e shtëpive, korrupsioni është në nivele tepër të larta. Në vend ka një varfëri ekstreme.
Kjo qeveri nuk ka pranuar minimumin jetik, kaq i domosdoshëm për qytetarët, pensionet duhet të rriten e mos ketë pension nën 200 euro. Është një fushatë e pabarabartë.
Por unë do i shkoj deri në fund fushatës së PD-së, jam një prej qytetarëve, nuk jetoj në luks. Nuk ka arsye që të votohet kjo qeveri, që ka rritur korrupsionin, që ka rritur varfërinë.
E mbështet Task-Forcën e ngritur nga SPAK, që Shqipërisë t’i vijnë zgjedhje të lira e të ndershme. Kryetari ynë është Sali Berisha dhe ne jemi në zgjedhje për të fituar zgjedhjet.
Heqja e non gratës për Berishën, është lajm i mirë për opozitën dhe për shqiptarët. Sot kemi mbylljen e fushatës dhe ftoj shqiptarët që të votojnë PD-në, për të ndryshuar Shqipërinë.”