Papa i ri, Leo XIV, mban sot meshën e tij të parë, një ditë pas zgjedhjes historike si udhëheqësi i ri i Kishës Katolike, duke u takuar me kardinalët që e votuan dhe duke treguar gatishmëri për të ndjekur hapat e Papa Françeskut në drejtim të reformave.
Leo, emri papnor i misionarit augustinian Robert Prevost, i lindur në Çikago, habiti botën të enjten kur u shfaq në lozhën e Bazilikës së Shën Pjetrit, duke thyer një tabu të kahershme që kishte ndaluar zgjedhjen e një pape nga Shtetet e Bashkuara.
69-vjeçari u paraqit me pelerinën tradicionale të kuqe simbolikë që Papa Françesku kishte shmangur në zgjedhjen e tij në vitin 2013 si dhe me zbukurimet formale të papatit, një sinjal i mundshëm për një kthim të pjesshëm në format më tradicionale të udhëheqjes kishtare.
Megjithatë, duke zgjedhur emrin “Leo”, Papa i ri duket se ka dashur të shprehë edhe një vazhdimësi shpirtërore. Shenjtori Leo, një frat i shekullit të 13-të, ishte një bashkudhëtar i ngushtë i Shën Françeskut të Asizit shenjti nga i cili mori emrin paraardhësi i tij, Papa Françesku, raporton AP.
Në fjalimin e tij të parë drejtuar botës në italisht Papa Leo XIV tha:
“Së bashku duhet të përpiqemi të zbulojmë se si të jemi një kishë misionare një kishë që ndërton ura, që vendos dialog, që është gjithmonë e hapur për të pranuar.
Si ky shesh me krahë të hapur, duhet të jemi të gatshëm të mirëpresim këdo që ka nevojë për bamirësinë tonë, për praninë tonë, për dialogun dhe dashurinë tonë.”