Vendosni fjalën kyçe....

“Belinda do t’ju marrë me vete” – Bardhi akuzon Ceno Klosin, Darli Hoxhën dhe Lulzim Morinën si terroristë elektoralë


Pak ditë para zgjedhjeve të 11 majit, deputeti dhe drejtuesi i Partisë Demokratike në qarkun e Fierit, Gazment Bardhi, ka bërë akuza të rënda ndaj zyrtarëve të Partisë Socialiste. Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Bardhi ka përmendur me emra individë që, sipas tij, janë përfshirë në tentativa për blerje votash në zonën e Fierit.

Bardhi ka akuzuar publikisht Ceno Klosin, Darli Hoxhën dhe Lulzim Morinën, duke i cilësuar ata si “terroristë elektoralë” të ministres Belinda Balluku. Sipas tij, këta individë janë duke tentuar të blejnë dinjitetin e qytetarëve në Frakull dhe Dërmenas, duke përdorur para të korrupsionit dhe burime financiare të dyshimta.

“Partia Demokratike do të fitojë, sepse qytetarët e përbuzin varfërimin dhe përpjekjet për të blerë dinjitetin e tyre në zgjedhje. Terroristët elektoralë… do të dështojnë me sukses të plotë,” shkruan Bardhi në postimin e tij.

Ai ka theksuar gjithashtu se çdo person i përfshirë në këto aktivitete është tashmë i identifikuar dhe kallëzuar pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK), megjithatë, për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk janë publikuar ende detajet e çështjes.

Në fund të deklaratës së tij, Bardhi ka lëshuar një paralajmërim të fortë politik dhe ligjor: “Belinda do t’ju marrë me vete! Ajo në Pojskë, ju në burgun e Fierit!”