
Kardinalët katolikë romanë janë kthyer të enjten në Kapelën Sistine, për ta rifilluar votimin për zgjedhjen e papës së ri në konklavën më të madhe dhe gjeografikisht më të shumëllojshme në historinë e tyre.
Tymi i zi është parë të ngrihet nga oxhaku mbi Kapelën Sistine për të dytën herë që nga mbledhja e Konklavës, raporton CNN.
Kjo do të thotë që pritja për një Papë të ri do të vazhdojë, pasi nuk janë arritur votat e nevojshme për kreun e ri të Kishës Katolike.
Votimi i këtij mëngjesi me sa duket nuk ishte i suksesshëm në zgjedhjen e një Pape të ri.
Kardinalët e nisën të mërkurën punën thellësisht rituale dhe të fshehtë për emërimin e një udhëheqësi të ri për 1.4 miliardë katolikët në mbarë botën.
Por, në mbrëmje tym i zi doli nga oxhaku në çatinë e kapelës, gjë që tregoi se nuk u zgjodh papa i ri në votimin e parë.
Kardinalët pritej ta nisnin votimin e dytë sot rreth orës 9 të mëngjesit, sipas asaj që ka njoftuar më herët Vatikani.
Tym i bardhë do të tregojë se Kisha Katolike ka zgjedhur udhëheqësin e ri, që do të zëvendësojë Papa Françeskun, i cili ndërroi jetë muajin e kaluar.
Kardinalët, gjatë ditëve të fundit, kanë dhënë vlerësime të ndryshme për atë që kërkojnë tek papa i ardhshëm.
Derisa disa kanë bërë thirrje për vazhdimësi me vizionin e Françeskut për më shumë reforma dhe të qenit të hapur, të tjerë kanë kërkuar rikthim tek traditat e vjetra. Shumë kanë shprehur dëshirën për një papat më të parashikueshëm dhe të matur.
Një rekord prej 133 kardinalësh nga 70 vende do të hyjnë në Kapelën Sistine, në krahasim me 115 nga 48 vende në konklavën e vitit 2013 – një rritje që pasqyron përpjekjet e Françeskut për të zgjeruar ndikimin e kishës në rajone të largëta me pak katolikë.