Vendosni fjalën kyçe....

Trump e Starmer arrijnë marrëveshjen për uljen e ndërsjellë të tarifave


Shtetet e Bashkuara dhe Britania pritet të shpallin një marrëveshje për uljen e tarifave për disa mallra të enjten, marrëveshja e parë e tillë që kur presidenti amerikan Trump vendosi taksa ndaj vendeve në mbarë botën.

Trump postoi në Truth Social se ai do mbante një konferencë shtypi në Zyrës Ovale të enjten në lidhje me një “marrëveshje të madhe tregtare me përfaqësuesit e një vendi të madh dhe shumë të respektuar”, shkruan Reuters.

Një zëdhënës i qeverisë britanike tha se kryeministri Keir Starmer do japë një përditësim mbi bisedimet tregtare SHBA-Britani më vonë të enjten.

“Shtetet e Bashkuara janë një aleat i domosdoshëm për sigurinë tonë ekonomike dhe kombëtare,” tha një zëdhënës i Downing Street.

“Bisedimet për një marrëveshje mes vendeve tona kanë vijuar me ritëm të lartë dhe kryeministri do përditësohet më vonë sot”.

Një zyrtar britanik kishte thënë të martën se të dy palët po punonin për të rënë dakord për kuota më të ulëta tarifore për çelikun dhe makinat, dy sektorë që u goditën nga taksat prej 25% të SHBA.

Në këmbim, Britania ka të ngjarë të pranojë të ulë tarifat e veta për makinat amerikane dhe të ulë një taksë të shitjeve dixhitale që prek grupet e teknologjisë amerikane. Ajo ka hedhur poshtë të ulë standardet e saj ushqimore në mënyrë që t’u japë prodhuesve amerikanë qasje më të madhe në treg.