
Një nga kandidatët më të rinj në garën elektorale në Shkodër ka dhënë një deklaratë të fortë, duke e cilësuar pjesëmarrjen e tij në politikë jo thjesht si një akt personal, por si një përfaqësim i një modeli dhe mendësie të re.
“Nuk vij në politikë vetëm si një i ri, por si një model i ri politik. Vij si vazhdimësi e historisë së qytetit të përjetshëm dhe si e ardhmja që politika shqiptare ka nevojë ta ndërtojë,” u shpreh ai në një komunikim publik nga Shkodra.
Kandidati theksoi se nuk e sheh veten si një “rrogëtar të radhës në Kuvendin e Shqipërisë”, por si një zë që do të sfidojë sistemin dhe do të përfaqësojë me dinjitet qytetarët.
“Dua të jem një zë që mbetet, që sfidon, që ngrihet për ju. Një zë që ushton si grushti mbi tryezë,” tha ai.
Në mesazhin e tij, ai e cilësoi këtë fushatë jo vetëm si një përballje politike, por si një “betejë patriotike” për vlerat dhe identitetin e qytetit dhe të vendit.
“Ky është një kushtrim. Bashkohuni në rrugën pa kthim,” përfundoi ai.