Vendosni fjalën kyçe....

“Zoti na ka dhënë diell, dy dete, male të larta e fusha, koha është flori” – Balluku


Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u ka bërë thirrje qytetarëve për një pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar këtë moment si vendimtar për të ardhmen europiane të vendit. Nga qyteti i Fierit – qarku që ajo drejton në këtë fushatë – Balluku theksoi se Shqipëria është gati të “korrë suksesin” e përpjekjeve shumëvjeçare për integrimin në Bashkimin Europian.

Balluku deklaroi se tashmë vendi është në pikën ku rezultatet duhet të materializohen dhe kjo, sipas saj, do të ndodhë me një “autokombajnë”, jo thjesht me drapër, duke iu referuar metaforikisht efikasitetit dhe madhësisë së arritjeve që duhen korrur.

“Zoti na ka bekuar me diellin, me dy dete, me malet, fushat dhe njerëz me zemër të madhe. Ajo që na mungon, është koha për të humbur. Ne nuk kemi më kohë për të pritur – të rinjtë, gratë, burrat, pensionistët, të gjithë ata që kanë mbështetur Edi Ramën, janë fokusi ynë në mandatin e katërt,” u shpreh Balluku.

Duke iu referuar procesit të integrimit europian, Balluku tha se “Shqipëria e ka bërë pjesën e saj” dhe se tashmë “shpërblimi” do të jetë pasaporta europiane, që i bën shqiptarët “të barabartë mes të barabartëve”.

Ajo nënvizoi se shqiptarët e diasporës ndihen krenarë për mënyrën si flitet sot për Shqipërinë në botë – në fushën e turizmit, të ekonomisë dhe të zhvillimit.

“Ne kemi lindur në zemër të Evropës. Nuk jemi ardhës, jemi europianë. Prandaj duhet të certifikohemi si të tillë dhe të ulemi në tryezën europiane,” theksoi Balluku.

Duke e mbyllur thirrjen e saj, ajo theksoi: “Më 11 maj, motra dhe vëllezër, të gjithë drejt kutive të votimit! Është koha të korrim çfarë kemi mbjellë – jo me drapër, por me autokombajnë.”