
Dy javë pas një sulmi vdekjeprurës ndaj turistëve në Kashmirin e administruar nga India, autoritetet indiane kanë nisur një seri sulmesh ajrore në territorin e Pakistanit dhe në pjesën e Kashmirit të kontrolluar nga ky i fundit. Sipas Ministrisë indiane të Mbrojtjes, operacioni i koduar si “Sindoor”, synon të mbajë përgjegjës ata që dyshohen për organizimin e sulmit të 22 prillit, i cili la të vdekur 25 shtetas indianë dhe një qytetar nepalez.
Nga ana tjetër, Pakistani ka mohuar çdo përfshirje në sulmin e ndodhur më herët gjatë muajit dhe ka dënuar ashpër sulmet ajrore të Indisë, duke i cilësuar si “të paprovokuara”. Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, paralajmëroi se “ky akt i neveritshëm i agresionit nuk do të mbetet pa përgjigje”, duke rritur frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të krizës.
Sipas ushtrisë pakistaneze, gjatë kundërpërgjigjes janë rrëzuar pesë avionë luftarakë indianë dhe një dron, megjithatë autoritetet indiane ende nuk kanë dhënë një reagim zyrtar për këto pretendime. Pakistani njoftoi gjithashtu se nga bombardimet kanë humbur jetën të paktën tetë civilë, ndërsa pala indiane deklaroi për tre viktima civile si pasojë e zjarrit të hapur nga Pakistani në Kashmirin që ndodhet nën kontrollin indian.
India sqaroi se sulmet e saj kishin në shënjestër nëntë lokacione të ndryshme në territorin pakistanez dhe në Kashmirin e administruar nga Pakistani. Sipas New Delhi-t, objektivat ishin “infrastrukturë terroriste” ku planifikoheshin dhe organizoheshin sulme të ngjashme me atë të 22 prillit. Autoritetet indiane theksuan se nuk janë goditur struktura ushtarake të Pakistanit, duke i cilësuar veprimet si “të fokusuara, të matura dhe jo-përshkallëzuese”.
Nga ana tjetër, Ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, Khawaja Asif, deklaroi se sulmet kanë goditur zona civile si Muzaffarabad dhe Kotli në Kashmirin e administruar nga Pakistani dhe Bahawalpur në provincën e Punjabit, duke i konsideruar pretendimet e Indisë për goditjen e kampeve terroriste si të pavërteta.
Sulmet pasuan një prej ngjarjeve më të rënda të dhunës ndaj civilëve në rajon në dy dekadat e fundit. Në 22 prill, militantë të armatosur hapën zjarr ndaj turistëve në qytetin piktoresk të Pahalgam, në Kashmirin indian, duke lënë 26 të vdekur. Sipas dëshmitarëve, sulmuesit veçuan burrat hindu para se t’i ekzekutonin. Edhe pse ende nuk është identifikuar grupi përgjegjës për atentatin, policia indiane pretendon se dy nga autorët ishin shtetas pakistanezë.
Kryeministri Narendra Modi paralajmëroi se ata që organizuan dhe kryen sulmin “do të ndëshkohen përtej imagjinatës së tyre”. India ka akuzuar shpesh Pakistanin për strehimin e militantëve të armatosur që operojnë në Kashmir, akuza që Islamabadi i ka mohuar në mënyrë të përsëritur.
Pas ngjarjes së 22 prillit, të dyja palët ndërmorën veprime hakmarrëse diplomatike, përfshirë dëbimin e diplomatëve dhe pezullimin e vizave, ndërkohë që analistët parashikonin një reagim ushtarak të ngjashëm me atë pas sulmit të Pulwama-s në vitin 2019, ku India bombardoi një kamp trajnimi militantësh në Balakot.
Rajoni i Kashmirit ka qenë për dekada një zonë e tensionuar midis dy vendeve që zotërojnë armë bërthamore. India dhe Pakistani pretendojnë të gjithë territorin, por e administrojnë pjesërisht që nga ndarja e tyre në vitin 1947. Pavarësisht përpjekjeve diplomatike ndërkombëtare për të ulur tensionet, situata mbetet jashtëzakonisht e brishtë.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u ka bërë thirrje të dy vendeve për “përmbajtje maksimale”, ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shprehu shpresën që përplasjet të përfundojnë sa më parë, percjell BBC.