Vendosni fjalën kyçe....

Rama dhe Berisha përballen në “Top Story”, Top Channel publikon videon provokuese


Top Channel ka paralajmëruar dy netë të rëndësishme televizive këtë javë, me intervista të njëpasnjëshme me dy nga figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare: kryeministrin Edi Rama dhe liderin e opozitës, Sali Berisha. Emisioni “Top Story”, nën drejtimin e Grida Dumës, do të transmetojë intervistat live të enjten dhe të premten në orën 21:00.

Promoja zyrtare e televizionit sugjeron një qasje të ashpër dhe introspektive, duke theksuar se intervistat do të jenë pa ngjyrime politike dhe pa kursim.

“Top Story as shpëton, as fundos, e as ngjyros ndokënd,” thuhet në mesazhin provokues, duke lënë të kuptohet se të dy liderët do të përballen jo vetëm me pyetje të drejtpërdrejta, por edhe me pasqyrën e së shkuarës së tyre politike.

Këto intervista vijnë në një moment kritik për skenën politike shqiptare, me sfida të mëdha përpara si në qeverisje ashtu edhe në opozitë. Pritet që përballjet të ndriçojnë kontrastet në vizione, të sjellin debat rreth ngjarjeve kyçe të viteve të fundit dhe të ngrenë pikëpyetje për drejtimin që do të marrë vendi.

“Kënetë këtej, andej moçal…

Në fund të lojës, ata vijnë të zhytur deri në fyt.

Top Story as shpëton, as fundos, e as ngjyros ndokënd!

Top Story të vendos në një përballje me veten!

Të enjten dhe të premten ekskluzivisht në intervista tërësisht ndryshe nga ato që kanë dhënë deri më sot Edi Rama dhe Sali Berisha përballë Grida Duma në Top Story vetëm në Top Channel ora 21:00”, thuhet në promon e Top Story.