Vendosni fjalën kyçe....

Merz zyrtarisht kancelar, presidenti Steinmeier emëron kabinetin e ri gjerman


Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier ka emëruar zyrtarisht kabinetin e ri qeveritar të Kancelarit konservator Friedrich Merz, pas fitores së tij vendimtare në raundin e dytë parlamentar.

Kabineti përfshin 17 ministra nga partitë CDU/CSU dhe SPD, të cilët pritet të zhvillojnë mbledhjen e parë të martën në mbrëmje.

Ndër emrat kryesorë janë Lars Klingbeil (SPD) si Zëvendës Kancelar dhe Ministër i Financave, Johann Wadephul (CDU) në Ministrinë e Jashtme, Boris Pistorius (SPD) që ruan postin e Ministrit të Mbrojtjes, dhe Alexander Dobrindt (CSU) si Ministër i Brendshëm.

Gjithashtu, Stefanie Hubig (SPD) është emëruar Ministre e Drejtësisë, ndërsa Katherina Reiche (CDU) merr postin e Ministres së Ekonomisë, mes shqetësimeve për konflikt interesi për shkak të së kaluarës në sektorin energjetik.

Presidenti kinez Xi Jinping e ka uruar kancelarin e ri të Gjermanisë, Friedrich Merz, për zgjedhjen e tij. 

Duke folur të mërkurën, Xi tha se Kina ishte e gatshme të thellonte bashkëpunimin dhe të hapte një “kapitull të ri” në partneritetin strategjik midis dy vendeve.

Kina ishte e gatshme të punonte me Gjermaninë për të udhëhequr bashkëpunimin Kinë- BE “në drejtimin e duhur”, tha Xi, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua. 

Kina është partneri i dytë më i madh tregtar i Gjermanisë.

Udhëheqës nga pjesë të ndryshme të botës e uruan Merzin për t’u bërë kancelari i ri gjerman.

Kryeministri indian Narendra Modi shkroi në mediat sociale se mezi priste të “punonte së bashku për të çimentuar më tej Partneritetin Strategjik Indi-Gjermani”.

Kryeministri etiopian, Abiy Ahmed Ali, shprehu besimin se “partneriteti i forcuar i të dy vendeve do të shërbejë si një themel i fortë për avancimin e së mirës globale”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s , Mark Rutte, gjithashtu e përgëzoi Merzin, duke thënë se lidershipi i tij do të jetë “thelbësor ndërsa punojmë për të siguruar që jemi të gatshëm dhe të aftë të pengojmë dhe mbrojmë – për të mbajtur njerëzit tanë të sigurt”./DW