Parlamenti Evropian ka paralajmëruar Komisionin Evropian (KE) se mund ta çojë atë në gjykatë nëse anashkalon ligjvënësit e BE-së për të krijuar një program kredie prej 150 miliardë eurosh për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në gjithë bllokun.
Në mars, kryetarja e KE-së Ursula von der Leyen zbuloi një plan për të mbledhur 800 miliardë euro për të zgjeruar potencialin ushtarak në të gjithë BE-në në përgjigje të asaj që ajo e përshkroi si “një kërcënim që vjen nga Rusia”, shkruan Rt.
Për të mbledhur paratë, Komisioni përdori nenin 122 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian (TFEU), i cili lejon shtetet anëtare në raste urgjente të miratojnë propozimet nga dega ekzekutive në Bruksel pa kaluar nëpër procesin e zakonshëm.
Të hënën, presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola i dërgoi një letër von der Leyen, duke i kërkuar asaj që të ndryshojë bazën ligjore për nismën, duke kërcënuar se do padisë KE-në nëse ajo nuk përmbush kërkesën.
Miratimi i planit të Komisionit pa një bazë të duhur ligjore do përfundonte “duke vënë në rrezik legjitimitetin demokratik duke minuar funksionet legjislative dhe të kontrollit të Parlamentit”, thuhej në letër.
KE-ja “do jetë gjithmonë në dispozicion për të shpjeguar pse neni 122 është zgjedhur si baza e duhur ligjore,” tha zëdhënësi i Von der Leyen Thomas Regnier për Euroneës.
“Evropa Perëndimore përballet me një kërcënim të paparë të sigurisë. Siç thuhet nga presidentja von der Leyen në Udhëzimet e saj Politike, neni 122 do përdoret vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, si ato në të cilat jetojmë aktualisht,” tha Regnier.
