Vendosni fjalën kyçe....

Rusia e Ukraina shkëmbejnë robër me ndërmjetësimin e Emirateve Arabe


 

Moska dhe Kievi kanë bërë një shkëmbim të robërve të luftës, duke riatdhesuar secili 205 ushtarë, ka njoftuar Ministria ruse e Mbrojtjes.

Shkëmbimi i së martës u ndërmjetësua nga Emiratet e Bashkuara Arabe, thuhet në deklaratë. Ushtarët rusë janë transportuar në territorin e Bjellorusisë, aleatit të Moskës, ku po marrin trajtim mjekësor, shtoi ministria. Ata së shpejti do kthehen në shtëpi për rehabilitim.

Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë të burgosurit në baza të rregullta, me vendet asnjanëse  që i ndihmojnë ata të bëjnë rregullimet e nevojshme. Shkëmbimi i fundit u raportua në mes të prillit, kur secila palë liroi 246 ushtarë, shkruan Rt.

Raundi i fundit vjen disa ditë përpara një armëpushimi të njëanshëm treditor rus që përkon me përkujtimin e fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Kievi ndërkohë ka kërkuar një armëpushim 30-ditor.