
Procesi gjyqësor ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, lidhur me tragjedinë e Gërdecit që mori jetën e 26 personave në mars të vitit 2008, vijon të zvarritet. Seanca e parashikuar për t’u zhvilluar sot u shty për shkak të mungesës së gjyqtares Irena Gjoka, e cila kishte paraqitur raport mjekësor.
Gjyqi ndodhet ende në fazën e kundërshtimeve që Mediu ka bërë ndaj akt-ekspertizës së sjellë nga grupi i ekspertëve. Në një seancë të mëparshme më 22 prill, Mediu deklaroi se trajtimi i municioneve ishte kompetencë ekskluzive e Forcave të Armatosura, dhe jo e Ministrisë së Mbrojtjes.
Çështja ndaj Mediut u rihap pas 12 vitesh, me kërkesë të familjes së një prej viktimave të shpërthimit në Gërdec. Sipas SPAK, ai ka shpërdoruar detyrën dhe ka favorizuar kompanitë “SAC” dhe “Albademil”. Procesi ndaj tij ka nisur në prill të vitit 2023 dhe vijon pa një përfundim të qartë.