
Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi sot në Kavajë takimin përmbyllës elektoral për zgjedhjet e 11 majit. Përpara qytetarëve të këtij qyteti, Rama u ndal gjerësisht te përçmimi që, sipas tij, Sali Berisha i ka bërë Kavajës ndër vite, pavarësisht mbështetjes pa kushte që ky qytet i ka dhënë Partisë Demokratike.
“Ky bulevard këtu nuk ekzistonte kur ne morëm detyrën. Kavaja ekzistonte, por nuk ishte ky qytet që është sot. Ne e nxorëm Kavajën nga plehrat e harresës dhe përçmimit, që nuk i vinte nga ne, por nga ata që ky qytet i mbështeti për gati një çerek shekulli”, tha Rama.
Ai theksoi se gjithçka që sot e bën Kavajën më europiane dhe më tërheqëse mban vulën e mbështetjes së Partisë Socialiste.
“Nuk ka një vend këtu që të mos mbajë gjurmën tonë. Por e pashë sot që pllakat janë zëvendësuar me beton. Nuk jemi ne këta, këto nuk i bëjmë ne”, shtoi Rama.
Duke iu drejtuar demokratëve të zhgënjyer, kryeministri solli në vëmendje rastin e Hysen Kadiut, i cili fitoi primaret e PD në Qarkun e Tiranës, por u përjashtua nga gara pas ndërhyrjes së Berishës.
“E fitoi primaren dhe përfundoi në barkun e bufit. E hëngri bufi, se bufi nuk do individë të lirë, bufi do skllevër”, u shpreh Rama.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë theksoi se Tropoja dhe Kavaja – dy nga bastionet më të forta të mbështetjes për Berishën – kanë qenë ndër qytetet me më pak investime nga qeveritë e mëparshme.
“Tani u them demokratëve të Kavajës: si është e mundur të vazhdoni ta hidhni votën në kënetë? Nuk ju bëri qytetin dhe ju hëngri dhe Hysenin. Po për çfarë ju duhet?”, tha Rama.
Ai nënvizoi se arsyeja pse kandidati i PS-së Pandi Majko garon pikërisht në Kavajë është për t’i dhënë këtij qyteti rëndësinë dhe vëmendjen që i mungoi për dekada.
“Pandit ia kemi besuar këtë detyrë jo rastësisht. Është një figurë e historisë së PS, një nga arkitektët e paqes dhe bashkëpunimit politik. Kemi ardhur këtu për t’i dalë borxhit këtij qyteti”, theksoi kryesocialisti.
Në përfundim të fjalimit, Rama i kërkoi qytetarëve të Kavajës një mbështetje të fortë në zgjedhjet e 11 majit, duke dhënë këtë premtim: “Na jepni 5 më 11 maj dhe ne do t’ua kthejmë 5-fish në një mandat.”