
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj një komentuesi në rrjetet sociale, i cili kishte shkruar se Rama “ka gjetur budallenj që e votojnë”.
Në një përgjigje të gjatë, Rama mbrojti qytetarët shqiptarë, duke theksuar se populli nuk duhet nënvlerësuar apo fyer.
“Ky popull të jep ujë në bisht të lugës, jo vetëm ty, por edhe mua, nëse nuk e merr seriozisht. Kush e konsideron këtë popull si dele, përfundon si bufi i kënetës, bashkë me sojin dhe sorollopin e tij politik,” tha Rama.
Ai vuri në dukje historinë e vështirë të shqiptarëve, duke theksuar se kanë mbijetuar përmes situatave të vështira dhe kanë ruajtur identitetin kombëtar në kushte të jashtëzakonshme. “Një popull i vogël, që ka qenë në shënjestër për t’u asimiluar, që ka rrezikuar të humbasë edhe gjuhën dhe alfabetin, ka mbijetuar dhe ka ardhur deri këtu sepse mban brenda shpirtin evropian,” shtoi Kryeministri.
Rama kritikoi ashpër etiketimet ndaj qytetarëve që votojnë për të, duke i krahasuar me komentet përçmuese të disa mediave apo analistëve që u shprehnin habi ndaj rezultateve të sondazheve.
“Ky popull të jep ujë në bisht të lugës jo ty por edhe mua kush nuk e merr seriozisht këtë popull, kush e konsideron dele, përfundon siç ka përfunduar bufi i kënetës bashkë se sojin dhe sorrolopin e tij politik.
Ky popull ka bërë udhëtim të gjatë për të ardhur këtu. I ka mbijetuar situatave dhe furtunave të historisë në mënyrë të hatashme.
Një popull i vogël që ka qenë target i politikave të fuqive të mëdha për t’u asimiluar komplet në kohëra të tjera kuptohet, që ka rrezikuar të humbasë gjuhën, se edhe atë iu përpoqën t’ia merrnin, që ka rrezikuar të mbetet me një alfabet tjetër për tjetër, ka mbijetuar dhe ka ardhur deri këtu se mban brenda shpirtin evropian pavarësisht se në pamje të jashtme mund të duket si të duash ti.
T’i thuash këtij populli që janë budallenj që voton për mua është të bësh atë që bëjnë ata çyrykët mediatike që kur shihjnin sondazhet se qenka sëmurë populli. Populli është i kthjellët dhe në rregull. Bëhu më fisnik kur flet për popullin tënd.”