
Ushtria izraelite ndërmori të hënën sulme ajrore kundër rebelëve Huthi në provincën Hodeida të Jemenit, si përgjigje ndaj një rakete të lëshuar një ditë më parë nga rebelët, e cila goditi aeroportin kryesor të Izraelit. Sulmet rezultuan me vdekjen e të paktën një personi dhe plagosjen e 35 të tjerëve.
Zyra e medias e rebelëve konfirmoi se të paktën gjashtë sulme kishin goditur portin e Hodeidës, ndërsa disa të tjera shënjestruan një fabrikë çimentoje në distriktin Bajil, rreth 55 kilometra në verilindje të qytetit.
Forcat izraelite deklaruan se në operacion morën pjesë mbi 20 avionë luftarakë, të cilët hodhën më shumë se 50 municione mbi dhjetëra objektiva në territorin e rebelëve Huthi, të mbështetur nga Irani.
Banorët e Hodeidës thanë se dëgjuan shpërthime të fuqishme pranë portit, ndërsa flakët dhe tymi mbuluan zonën. “Ishte shumë i fortë”, u shpreh Ahmed Saleh, që jeton afër portit. Në qytet u dëgjuan gjithashtu sirenat e ambulancave që u nxitonin drejt vendngjarjes.
Ndërkohë, në Bajil, zjarre dhe tym i dendur u panë mbi fabrikën e çimentos, të cilën Huthitët e akuzuan se ishte goditur nga avionë amerikanë dhe izraelitë. Banori Khalid Seif tha se ambulancat kishin mbërritur me shpejtësi në vendin e sulmit për të ndihmuar të plagosurit.
Ky është një përshkallëzim i radhës në përplasjet rajonale, ku rebelët Huthi vazhdojnë të mbështeten nga Irani, ndërsa Izraeli përpiqet të parandalojë kërcënimet që vijnë përtej kufijve të tij./AP