Uashingtoni do ndalojë menjëherë sulmet ajrore në Jemen, njoftoi të martën presidenti amerikan Donald Trump. Ai e bëri njoftimin teksa fliste në Shtëpinë e Bardhë së bashku me kryeministrin kanadez Mark Carney.
Urdhri vjen pas javësh të sulmeve të udhëhequra nga SHBA-ja në Jemen, që kanë goditur grupin militant Houthi, i cili ka “kapitulluar” dhe është zotuar të ndalojë sulmet ndaj trafikut detar tregtar në rajon, shkruan Rt.
Presidenti amerikan tha se grupi Houthi i ka thënë Uashingtonit se nuk “donte të luftonte më”.
“Ne do e nderojmë këtë dhe do ndalojmë bombardimet. Ata kanë kapitulluar,” tha Trump.
Qëllimi kryesor i fushatës së bombardimeve kundër Houthi-ve, në të cilën morën pjesë SHBA-ja dhe Britania e Madhe, ishte ndalimi i grupit që “të hidhte në erë anije”, sipas Trump.
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio shtoi: “Kjo ishte gjithmonë një çështje e lirisë së lundrimit. Këta njerëz janë një grup individësh me armatim të avancuar që kërcënonin transportin global dhe puna ishte që kjo të ndalohej,” tha Rubio.
Menjëherë pas njoftimit, figura e lartë Houthi, Mohammad Ali Al-Houthi tha se lëvizja do vijojë mbështetjen e saj për Gazën dhe i kërkoi kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të japë dorëheqjen për “krimet” e tij dhe “terrorizmin”.
“Populli jemenas nuk do frikësohet nga terrorizmi amerikan dhe izraelit, dhe krimet që ata kanë kryer në Jemen janë të njëjtat krime gjenocidale që kryejnë në Gaza”, tha Al-Houthi, pa iu drejtuar drejtpërdrejt komenteve të Trump.
