
Pesë ditë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi deklaroi se janë referuar 115 kallëzime për krime zgjedhore në SPAK. Në një konferencë për mediat, ai theksoi se kallëzimet vijnë nga parti politike, qytetarë dhe denoncime online.
“Sipas të dhënave të deritanishme, nga subjektet politike janë paraqitur 25 kallëzime, ndërsa 35 të tjera janë denoncime online. Në total, SPAK ka hapur 35 procedime penale, nga të cilat 8 janë nisur me iniciativë të vetë institucionit,” deklaroi Celibashi.
Ai shtoi se edhe nga Prokuroria e Përgjithshme janë regjistruar 32 kallëzime penale në prokurori të ndryshme të vendit.