
Në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 11 majit, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim përmbyllës me qytetarët e Durrësit. Gjatë fjalës së tij, Berisha shprehu bindjen për fitoren e opozitës dhe paralajmëroi masa të rrepta për çdo tentativë të manipulimit të votës gjatë ditës së zgjedhjeve.
Kryedemokrati akuzoi qeverinë dhe kandidatët e saj se përfaqësojnë krimin dhe korrupsionin, ndërsa theksoi se qytetarët e Durrësit do t’i japin atyre një përgjigje të merituar në kutitë e votimit.
“Të dashur miq, ne jemi krenarë me këta zotërinj dhe këto zonja, sepse ata janë përfaqësues të moralit tuaj, vlerave tuaja, interesave tuaja dhe virtyteve tuaja,” – tha Berisha, duke theksuar se kandidatët e Partisë Demokratike janë ata që do të udhëhoqen nga qytetarët dhe jo nga grupe kriminale.
Berisha bëri një ndarje të qartë mes kandidatëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës, duke i etiketuar ata të fundit si të lidhur me grupe kriminale dhe “terroristë elektoralë”.
“Këto zonja dhe zotërinj janë krejt ndryshe nga kandidatët e Sakos, Pojës, Hajrit dhe të tjerë që mbështeten nga bandat. Ata do të marrin ndëshkimin më të merituar pas 11 majit,” tha Berisha, duke shtuar se zgjedhjet do të ndajnë qytetarët e Durrësit në dy grupe: ata që duan Durrësin dhe ata që përfaqësojnë krimin dhe bandat.
Kryedemokrati i Partisë Demokratike paralajmëroi gjithashtu se çdo tentativë për të prekur votën do të ndëshkohet. “Vrimë miu nuk do të gjejnë. Kudo që të jenë ata që tentojnë të manipulojnë zgjedhjet, do t’i kapim. Për ta nuk ka vend në parlament, por vetëm në koshin e plehrave të historisë,” theksoi Berisha.