Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuzon Agron Malajn: Nga oficer garde, u bë njeriu më i pasur i Matit falë korrupsionit shtetëror


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me banorët e Klosit në Bashkinë e Matit, ku ka akuzuar kandidatin e Partisë Socialiste për deputet, Agron Malaj, për pasurim të paligjshëm dhe lidhje me korrupsionin shtetëror.

Berisha tha se Malaj, i cili disa vite më parë ka qenë oficer në Gardën e Republikës, është bërë një nga njerëzit më të pasur të Matit.

“Miq, ky Agron Malaj, para disa vitesh, ky ishte oficer në organet e rendit apo të Gardës së Republikës. Sot ky, është njeriu më i pasur i Matit dhe ju siguroj se, atë pasuri, së bashku me vëllain e tij, Fatosin, e ka qindarkë për qindarkë të vendosur vetëm nga korrupsioni shtetëror, nga tenderat, që normalisht nuk duhet t’i fitonte kurrë në shtet,” tha Berisha.

Kreu i PD-së theksoi se ky pastrim parash përmes tenderave ka krijuar një sistem të dëmshëm. “Këta krijuan një sistem që nuk ka ekzistuar kurrë. Këta krijuan sistemin që, paratë dhe taksat tuaja që përdoren për shkolla, për ndërtime, për të gjitha, t’i marrin për vete. Të krijojnë sipërmarrje dhe t’i marrin vet,” shtoi ai.

Berisha gjithashtu e akuzoi qeverinë e Edi Ramës për pasivizimin e investimeve dhe shkatërrimin e infrastrukturës në Mat.

“Po të vish sot në Mat, dhe kudo në jug, janë të mbetura aty ku kanë qenë, asnjë investim të përfillshëm. Rrugë të rrënuara, shkolla të rrënuara, qendra shëndetësore të shkatërruara,” tha ai.

Ai shtoi se Edi Rama ka përdorur pasurinë e krijuar nga korrupsioni për të siguruar mbështetje elektorale.

“Edi Rama i mori një e nga një këta dhe i tha: këto para që keni vjedhur, unë i dua vota. Ju vërtetë u bëtë pasanikë, por tani unë dua vota,” deklaroi Berisha.

Për më tepër, Berisha tha se këta individë kanë dosje në prokurori për vjedhje dhe korrupsion, dhe i paralajmëroi ata se do të përballen me ndëshkime.

“Secili prej tyre, në mënyrë absolute, ka dosje në prokurori për vjedhje dhe korrupsion. Dhe këta tani, bëjnë gjithçka të rrëmbejnë votat tuaja,” tha ai.

Berisha përfundoi duke theksuar se ai dhe Partia Demokratike do të vazhdojnë të luftojnë për të çliruar Matin dhe Shqipërinë nga ky sistem korrupsioni.