
Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi sot takimin përmbyllës të fushatës elektorale në Shkodër, ku u bëri thirrje qytetarëve që të ndryshojnë kurs pas 33 vitesh votë kundër PS-së dhe t’i bashkohen “trenit të fitores” në të gjithë Shqipërinë.
“Shpresoj që Shkodra ta ketë kapërcyer më në fund problemin psikologjik që ka pasur këto vite. Vija këtu, flisja kot, dhe prapë humbje. Thosha: si ka mundësi jetojnë mes plehrave, në këtë qytet të bekuar me lumë, liqen, det dhe mal, e sërish sillen si në vitin 1990,” deklaroi Rama.
Me sarkazëm, ai shtoi: “Të paktën të thonë: hajt ta provojmë njëherë këtë budallain e gjatë. Se i provuam të mençurit dhe na mbajtën në bërllok.”
Rama sulmoi ashpër Berishën, duke thënë se Shkodra ka qëndruar peng për dekada të një mentaliteti komunist dhe se Partia Demokratike po ripërsërit sjellje të së kaluarës: “Komunizmi ka vdekur, por Shkodra i shërbente një të vdekuri – Enver Hoxhës – dhe një të gjalli që kujton se është gjallë, por është politikisht i vdekur, Bufit.”
Ai kritikoi procesin e primareve në PD, duke thënë se kandidatët u “zhdukën” dhe e cilësoi si të turpshme që, sipas tij, demokratëve të Shkodrës po u imponohet një kandidat “Luciano fake Pavarotti” nga Elbasani.
“Ka rënë kaq poshtë pazari në Shkodër? Kaq pa tru ju mendon Bufi, sa ju sjell një nga Elbasani që thoshte se ia vodhi elektronika votat?” – u shpreh Rama.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve të mos mbeten jashtë fitoreve të Partisë Socialiste dhe të ndryshojnë qasjen politike në zgjedhjet e 11 majit.