Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Në 2013 Shqipëria ishte në prag kolapsi si me skemat piramidale


Përgjatë takimit në Shkodër, kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij është ndalur te gjendja kritike në të cilën, sipas tij, ndodhej Shqipëria në vitin 2013, kur ai mori drejtimin e qeverisë.

“Shqipëria në 2013 ishte në fije të perit, shumë pranë një kolapsi si me piramidat. Borxhi i fshehur ndaj kompanive private kishte bllokuar funksionimin e shtetit”, u shpreh Rama para qytetarëve.

Sipas tij, mungesa e likuiditetit kishte sjellë probleme të mëdha edhe në funksionimin bazik të institucioneve:
“Nuk kishte shkumësa në shkolla, sepse nuk kishte më lekë. Invalidët nuk kishin marrë më asnjë lek, 40 milionë euro ua kishte shteti borxh. Dilnin me karroca e paterica në protesta dhe i mbysnin në dru,” tha Rama.

Ai shtoi se situata në infrastrukturë ishte po ashtu alarmante, duke theksuar se shumë projekte ishin vetëm në letër.

“Asnjë rrugë nuk kishte përfunduar. Ishin tendera për të hapur gropa gjithandej dhe për t’u rënë daulleve se po punojmë,” tha kryeministri, duke ironizuar mënyrën e menaxhimit të investimeve publike nga administrata e mëparshme.

Rama e konsideroi popullin si shpëtimtarin e vendit, duke thënë se në ato kushte të vështira, qytetarët kanë treguar besim dhe durim për ta nxjerrë vendin nga kriza.