
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbylli fushatën elektorale në Tropojë me një deklaratë të fortë kundër qeverisë aktuale, duke e akuzuar kryeministrin Edi Rama se është “një argat i Aleksandër Vuçiçit” dhe se po qeveris vendin në bashkëpunim me krimin.
Në fjalimin e tij para qytetarëve, Berisha tha se Shqipëria ndodhet në një pikë kritike, ku pasuritë publike po përvetësohen nga pak njerëz, ndërsa populli largohet nga vendi për shkak të varfërisë.
Ai u zotua se programi i PD-së synon të eliminojë mjerimin dhe varfërinë e skajshme nga vendi brenda 100 viteve, duke nisur me masa të menjëhershme që, sipas tij, do të hyjnë në fuqi në 100 ditët e para të qeverisjes.
“Do të vendosim një minimum jetik prej 200 eurosh për çdo qytetar. Politikanët aktualë janë të shkëputur nga hallet e njerëzve. Ministret stolisen si princesha sulltanati dhe u thonë pensionistëve se jetojnë mirë me 140 euro. Hajduti e urren viktimën,” tha Berisha.
Ai theksoi se Tropoja mbetet për të një vend i veçantë dhe se nuk do të zgjidhte kurrë një tjetër vendlindje.
“Tropoja është vendi i krenarisë dhe i traditës. Por sot, kjo madhështi ka pjerrur si kurrë më parë,” tha ai, duke premtuar rikthimin e pasurive natyrore dhe burimeve publike në duart e qytetarëve.
Berisha theksoi se PD do të vijë në pushtet me një projekt që respekton familjen, trashëgiminë dhe vlerat kombëtare, ndërsa ftoi qytetarët të votojnë masivisht më 11 maj për të, sipas tij, “shpëtuar vendin nga politikanët e korruptuar dhe trafikantët e drogës”.