Vendosni fjalën kyçe....

Zëdhënësja e kreut të PL-së: Më 11 maj t’i japim fund qeverisjes që rrënoi popullin, votoni Ilir Metën


Partia e Lirisë, pjesë e koalicionit me PD dhe ADSHM, ka hyrë në javën e fundit të fushatës elektorale duke prezantuar një program të detajuar socialo-ekonomik.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja Jasmira Memelli, në emër të kryetarit Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024, theksoi se prioriteti i koalicionit është vendosja e një minimumi jetik për çdo qytetar shqiptar.

Sipas PL, programi parashikon: vendosjen e një minimumi jetik prej 200 eurosh në muaj për çdo qytetar në nevojë, rritjen e pensioneve me 20%, rrogë minimale prej 500 euro dhe rrogë mesatare prej 1200 euro. Po ashtu, çdo përfitues i minimumit jetik, pensionist apo punonjës me pagë të ulët do të pajiset me Kartën e Konsumatorit, përmes së cilës do t’i kthehet TVSH-ja për shpenzimet bazë si ushqime, energji, ujë dhe barna – duke përfituar rreth 450 euro në vit.

“Në një kohë kur varfëria po thellohet dhe qeveria aktuale ka braktisur shtresat më të pambrojtura të shoqërisë, koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” paraqet një alternativë të qartë dhe të realizueshme për dinjitetin ekonomik të çdo individi. Minimumi jetik nuk është vetëm një shifër financiare, por një standard themelor për jetesën me dinjitet, një të drejtë që çdo shqiptar duhet ta gëzojë. Sot, mijëra qytetarë shqiptarë jetojnë nën kufirin e mbijetesës. Inflacioni i lartë, rritja e çmimeve të ushqimeve dhe shërbimeve bazë, mungesa e mbështetjes sociale dhe politikat abuzive të qeverisë aktuale i kanë shtyrë shumë familje drejt varfërisë ekstreme”, thuhet në këtë reagim.

Programi  ynë synon të krijojë një rrjet të sigurisë sociale që garanton mbijetesën, por edhe një jetë me dinjitet për çdo individ. Ky program në 100 ditët e para garanton:
Vendosjen e minimumit jetik prej 200 euro për çdo shqiptar. Çdo pensionist, me pension të plotë apo të pjesshëm, më të ulët se 200 euro në muaj, çdo i papunë ose person me ndihmë ekonomike, çdo student me bursë dhe çdo jetim, do të marrë 200 euro në muaj. Rritjen e pensioneve me 20%. Rritjen e rrogës minimale në 500 euro. Rritjen e rrogës mesatare në 1200 euro çdo pensionist, qytetar me minimum jetik apo rrogë minimale, do të pajisen me Kartën e Konsumatorit, me të cilën do të përfitojnë kthimin e TVSH-së që paguan për blerjen e ushqimeve bazë, energjisë elektrike, ujit dhe ilaçeve, duke përfituar  rreth 450 euro në vit”, vijon deklarata e zëdhënëses së Metës.

Gjithashtu në program janë të përfshirë edhe personat me aftësi të kufizuara që kanë nevojë, e që do të paguhet kujdestari dhe sigurimet e tij. Çmimi i energjisë elektrike do të ulet në 7 lekë dhe i naftës do të ulet me 35-40%.

Memelli theksoi se ky program është i realizueshëm përmes përdorimit efikas të buxhetit të shtetit, luftës kundër korrupsionit dhe shkurtimit të luksit qeveritar. Në fund, ajo i bëri thirrje qytetarëve të votojnë në 11 maj për ADSHM dhe Ilir Metën në qarkun e Tiranës.

“Ky program është i detajuar dhe i realizueshëm. Ai do të financohet përmes një përdorimi më të mirë të buxhetit të shtetit, luftës kundër korrupsionit dhe uljes së luksit qeveritar. Ne besojmë  se askush nuk duhet të vuajë për bukën e gojës në një shtet që ka potencial për zhvillim dhe mirëqenie. Minimumi jetik është jo vetëm një përgjigje ndaj krizës sociale, por një hap i domosdoshëm drejt një shoqërie më humane, ku çdo qytetar respektohet dhe mbështetet. Prandaj ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar , për t’i dhënë përgjigjen e merituar kësaj qeverie që rrënoi  dhe shpopulloi Shqipërinë”, vijoi ajo.