Vendosni fjalën kyçe....

Tom Doshi akuzon Benet Becin për presion ndaj qytetarëve: Ai erdhi si socialist, por punon për PD


Nga një takim elektoral me banorët e lagjes “Mark Lula” në Shkodër, kreu i Partisë Socialdemokrate (PSD), Tom Doshi, ka akuzuar kryetarin socialist të bashkisë së Shkodrës, Benet Beci për presion ndaj qytetarëve në këmbim të votës.

Sipas Doshit, Beci po përdor ndihmën sociale si mjet shantazhi për të siguruar vota për Partinë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2025.

“Njerëzit kërcënohen se do t’u ndërpritet ndihma sociale nëse nuk votojnë për PS-në. Ai erdhi si socialist, por punon për Partinë Demokratike. Drejtuesit lokalë janë të gjithë të ardhur nga PD”, deklaroi Doshi.

Ai e cilësoi Becin si të “infiltruar” të opozitës në radhët e socialistëve dhe tha se “pas zgjedhjeve, ai do përballet me drejtësinë”.

Doshi u bëri thirrje socialistëve që të votojnë PSD-në, të cilën e konsideroi si të vetmen forcë që përfaqëson interesat e qytetarëve të Shkodrës: “Unë kam drejtuar PS-në në Shkodër për 20 vite, por sot kjo parti është kapur nga servilë pa lidhje me bazën.”

Ai shtoi se PSD synon të marrë tre mandate në qarkun e Shkodrës dhe se qytetarët që përballen me vështirësi ekonomike dhe shëndetësore janë në fokusin e kësaj force politike.